Tirana me laborator kodimi e programimi


Tirana me laborator kodimi e programimi

15:51 22/10/2018

Fëmijët e kryeqytetit tashmë do të kenë mundësi të mësojnë gjuhën e programimit dhe kodimit përmes teknologjisë së përparuar dhe lojës. Qendra ‘Bonevet’, pas suksesit në Prishtinë dhe Gjakovë ka hapur dyert edhe në Tiranë. Kryebashkiaku Veliaj tha se nisma të tilla transformojnë Shqipërinë.

“Dua që në buxhetin e Bashkisë së Tiranës të vendosim një fond për t’iu bashkuar sfidës, e mandej ju mund ta vendosni vetë si do ta përdorni. Mund ta përdorni si bursa, mund ta përdorni për të shtuar kapacitetet, mund ta përdorni për të shtuar programet që ofroni, por duam që të jemi pjesë e një historie suksesi që lind sot. Na quani partnerë, jo vetëm me llafe, por edhe për të investuar në një risi që do transformojë Shqipërinë”.

Shumë shpejt edhe Piramida do të shndërrohet në qendrën më të madhe rinore multifunksionale në rajon.

“Dy janë mundësitë, ose do rrimë te kangjellat dhe do shohim të tjerët që kalojnë, ose themi: E di çfarë, unë do ta vendos që tani sepse keni një mundësi fantastike. Ju sot mund të vendosni nëse do bëheni kryeministri i ardhshëm ose kryetari i Bashkisë i ardhshëm, nëse do të bëheni sipërmarrësi më i suksesshëm në Shqipëri, apo nëse do jeni programues i një software që do ndryshojë jo vetëm Shqipërinë, por dhe botën; por duhet ta vendosni sot.”

Kryebashkiaku apeloi që të rinjtë të orientohen drejt nismave të tilla inovative.

Tv Klan






Të ngjashme