Tirana nis përgatitjet për sezonin e ri
Tirana nisi përgatitjet për sezonin e ri ku do të luajë në Kategorinë e Parë. Në kompleksin “Skënder Halili” ishin lojtarë nga sezoni i kaluar, të tjerë të ardhur së fundmi, por priten edhe përforcimë të tjera.
“Lika dhe Karabeci kanë rinovuar, janë tepër të rëndësishëm për ekipin. Do të vijnë lojtarë të tjerë këtë javë. Presim dy mesfushorë dhe një sulmues, ky i fundit mund t’iu them se vjen nga Brazili. Do të jenë lojtarë, të cilët do të bëjnë diferencën dhe që mund të luajnë edhe në Superligë. Dua një grup me 26 lojtarë. Duhet të krijojmë bazën për këtë sezon dhe vitin tjetër”
, thotë trajneri i Tiranës, Ze Maria.
Tirana do të ketë edhe largime. Të sigurtë duken Meriveille dhe Akuah, të cilët nuk ishin në stërvitje.
“Meriveille dhe Akuah po vendosin së bashku me klubin të ardhmen e tyre. Dokën dua ta mbaj, ka cilësi të mira, ka të ardhme”,
theksoi ai.
Ky i fundit bëri një paraqitje të mirë në kampionat dhe në Europa League. Tirana do të përgatitet këtë javë “Skëdner Halili” dhe më pas jashtë vendit. Objektivi është ngjitja në Superligë dhe më pas Superkupa dhe Kupa e Shqipërisë. TV KLAN