Tirana – Partizani, formacionet e derbit
Nuk pranohet humbja. Kjo është fjala kyçe si për Tiranën ashtu edhe Partizanin. Veç faktit që do të ndikonte në të ardhmen e objektivave në kampionat, një rezultat negativ do të sillte pakënaqësi edhe në tifozeritë respektive.
Si Josa ashtu edhe Starova e dinë mirë se një ndeshje e tillë zgjidhet në mesfushë, dhe në këtë repart janë përqendruar forcat.
Mendohet që Tirana do të zbresë në fushë me rreshtimin 4-2-3-1. Ilion Lika në portë, përpara tij Kërciku, Teqja, Muca dhe Hoxhallari. Acquah dhe Karabeci do të jenë të vendosur para mbrojtjes.
Duke pëlqyer lojën sulmuese, Mirel Josa ka vendosur Takun, Merveille dhe Moise, ndërsa si sulmues i deklaruar Cisse.
Disi më i ngjeshur moduli i Starovës. 4-4-1-1. Alban Hoxha në portë dhe përpara tij Ibrahimi, Krasniqi, Atanda dhe Kalari. Në qendër të mesfushës Batha dhe Ramadani ndërsa nga krahët Vila dhe Trashi do të jenë të përparuar. Argjentinasi Torassa bashkë me mesfushorët e krahut do të furnizojnë sulmuesin Ekuban.
Çdo gjë mund të ndryshojë në varësi të rrjedhës së lojës që mendohet se do të marrë shumë energji në mesfushë. Gjithçka në funksion shmangies së humbjes, të dy skuadrat do të luajnë me shpresën për të kapur kundërshtarin në gabim./ TV KLAN