Tirana “pushtohet” nga pensionistët
E shtuna ka qenë dita e pensionistëve. Rrugët kryesore të Tiranës u “pushtuan” nga të moshuarit pasi kreu i qeverisë deklaroi një ditë më parë se mund të dalin deri në orën 11:00.
Në një video në faqen e tij në Facebook, Rama ka sjellë një panoramë se si dukej Tirana sot, ndërkohë që postimin e tij e shoqëronte duke shkruar “Sot Tirana është vetëm e këtyre zemrave”.
Një ditë më parë kreu i qeverisë, u bëri thirrje pensionistëve që të mos dalin për t’u mbledhur apo për të luajtur domino, por vetëm për t’u ajrosur, ndërsa mesa duket kjo thirrje e tij është dëgjuar.
Siç duket nga pamjet në përgjithësi, ata kanë dalë vetëm dy vetë të shoqëruar, ndërsa respektojnë edhe masat e distancimit social. Liri-dalja për të moshuarit vjen në një kohë kur qeveria ka vendosur mbylljen për 2 ditë të çdo aktiviteti.
Të moshuarit janë një prej grupeve më të riskuara nga Covid-19. Prandaj që prej fillimit të pandemisë atyre i është kërkuar që të vetëizolohen në shtëpi dhe të shmangin daljet në rrugë./tvklan.al