Tirana shkarkon Ilir Dajën
Ilir Daja nuk është më trajner i Tiranës. Humbja me Luftëtarin dhe barazimi me Vllazninë në kampionat i kushtuan shumë. Drejtuesit e klubit vendosën të ndërpresin kontratën me Dajën, që mori drejtimin e ekipit rreth 1 vit më parë.
Drejtimin e ekipit kryeqytetas do ta marrë Mirel Josa, i cili e ka drejtuar në të kaluarën Tiranën, duke marrë edhe trofe. I kontaktuar nga Televizioni Klan, tekniku ka konfirmuar arritjen e akordit. Gjatë së mërkurës, pritet firmosja e kontratës.
Në kërkim të një trajneri është edhe Korabi, pas dorëheqjes së Artan Mërgjyshit. Kandidat për ta zëvendësuar është Shpëtim Duro, me të cilin ka patur kontakte, por ende nuk është arritur një akord.
Faza e parë e këtij sezoni është shoqëruar me shkarkime apo dorëheqje nga trajnerët. Gjysma e ekipeve e ndërruan të paktën një herë drejtuesin e stolit me Teutën, që ka patur 4 trajnerë deri më tani.
Tv Klan