Tirana zyrtare reagon për sulmet në Turqi, dënon njëzëri grushtin e shtetit


Tirana zyrtare reagon për sulmet në Turqi, dënon njëzëri grushtin e shtetit

09:52 16/07/2016

Ngjarjet e ndodhura në Turqi janë dënuar edhe nga politika shqiptare. Presidenti Bujar Nishani përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat shkruan se ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim të madh zhvillimet e orëve të fundit në Turqi, ku rendi kushtetues u prek rëndë nga akte për rrëzimin me dhunë të një qeverie të zgjedhur demokratikisht.

Presidenti Nishani i dënon me forcë këto akte dhe tentativa për marrjen e pushtetit përmes dhunës dhe shpreh mbështetjen e plotë për Presidentin Erdogan, Qeverinë dhe rendin kushtetues në Turqi.

Kreu i shtetit, në njoftimin e tij, uron kthim sa më të shpejtë të rendit publik dhe qetësisë në rrugët dhe qytetet e Turqisë dhe populli mik turk t’i kthehet jetës normale.

Pas ngjarjeve në Turqi ka reaguar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Në një mesazh në rrjetet sociale, Rama shkruan: “I lumtur për popullin vëlla të Turqisë dhe mikun e çmuar Presidentin Erdogan, për daljen me sukses të plotë nga një natë tejet e vështirë”.

Edhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta shprehu solidaritet me popullin turk dhe autoritetet legjitime te vendit për kapërcimin me sa më pak kosto të situatës së rëndë të krijuar nga tentativa për grusht shteti.

Ajo që kaloi Truqia mbrëmë për ish-kryeministrin Sali Berisha ishte një tronditje e rëndë. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai thotë se e dënon me ashpërsinë më të madhe aktin e shëmtuar antikushtetues të aventurierëve puçistë me uniformë dhe shpreh solidaritet me qytetarët dhe autoritetet  legjitime të vendit mik.

Për grushtin e shtetit ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila përmes një deklarate për shtyp shpreh mbështetjen për autoritetet e zgjedhura demokratike ne Turqi, demokracinë dhe shtetin ligjor.

Ministria e Punëve te Jashtme në deklaratën e saj shpreh mbështetje të plotë për qeverinë e zgjedhur demokratikisht, institucionet e vendit dhe sundimin e seë drejtës në Turqi. Ajo nuk njofton për shqiptarë të lënduar, ndërsa u bën thirrje qytetareve qe te shmangin zonat e prekura nga trazirat./TV KLAN






Të ngjashme