Tiranë, gjen vdekjen nga zjarri në ashensor 30 – vjeçarja
Një 30 - vjeçare ka gjetur vdekjen paraditen e sotme në kryeqytet. Ajo është Elona Duriçi, nënë e një fëmije 5 – vjeçar.
Shkak u bë një zjarr i rënë rreth orës 10:00, në kollonën e ashensorit të një pallati në rrugën "Muhamet Deliu", në zonën e Freskut. Burime zyrtare bëjnë të ditur se viktima është gjetur brenda ashensorit e karbonizuar. Banorët thanë se kishin dëgjuar thirrjet e gruas për ndihmë, por nuk kishin mundur të bënin asgjë për ta shpëtuar. Në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e zjarrfikëses dhe të policisë, të cilët bënë të mundur evakuimin e banorëve të pallatit dhe shuarjen e flakëve. Grupi hetimor po punon për gjetjen e shkakut të zjarrit. 30 - vjeçarja mësohet se jetonte vetëm me fëmijën e saj, pasi bashkëshorti jetonte në emigracion në Gjermani./tvklan.al