Tiranë/28 të arrestuar vetëm gjatë fundjavës
Vetëm gjatë fundjavës, policia e Tiranës ka arrestuar 28 persona, në sajë të një plani masash gjatë fundjavës, për rritjen e sigurisë në vend.
Bazuar në këtë plan, për kontrollin e situatës kriminale, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim, personave që qarkullojnë me armë, goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, si dhe goditjen në tërësi të paligjshmërisë, policia thotë se ka kryer kontrolle të shumta.
Sipas policisë, të arrestuarit janë persona të cilët ishin shpallur në kërkim dhe të arrestuar në flagrancë për tendenca të ndryshme kriminale.
Prej tyre, 7 u ndaluan pasi ishin të shpallur në kërkim, 2 për dhunë në familje, 1 për ndërtim të paligjshëm, 5 persona në fushën e narkotikëve, 3 për drejtim mjeti në mënyrë të pa rregullt, 1 për vjedhje të energjisë elektike, 9 për vjedhje dhe vjedhje me anë të mashtrimit.
Gjithashtu policia bën me dije se janë plotësuar dhe 4 kërkesë padi për lëshimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes.
Nga shërbimet e kontrollit të territorit janë kontrolluar 12 lokale të ndryshme, ndër to dhe 3 lojra fati. Janë verifikuar 1131 persona dhe janë shoqëruar 98 prej tyre. Janë verifikuar gjithashtu, 1725 automjete, ndërsa janë plotësuar 2034 masa administrative për shkelje të ndryshme.
Gjithashtu, policia ka sekuestruar doza kanabis që i janë gjetur nga kontrolli të arrestuarve në flagrancë.
Nga Policia Rrugore janë pezulluar 5 leje drejtimi për pije alkoolike e shpejtësi tej normave të lejuara, si dhe 25 masa të tjera për shkelje semafori e për mungesë të kontrollit teknik.
Policia e Tiranës thekson se po vijon punën me intensitet të lartë për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në territorin që mbulon./tvklan.al