Tiranë/Aksidenti i dytë me vdekje brenda tre ditësh
Brenda tre ditëve në kryeqytet janë shënuar dy aksidente tragjike.
Një 48 – vjeçar ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, pasi u përplas nga një automjet. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e shkuar rreth orës 20:20, në rrugën Tiranë – Kamëz, pranë pallateve Malaiziane, ku viktima Ilir Shima u përplas nga një makinë. Ai u transportua në spital dhe rreth orës 05:00 të mëngjesit ndërroi jetë.
Policia arrestoi drejtuesin e mjetit tip “Mercedes Benz”, me iniciale A. M, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ndërkohë, diten e enjte, një tjetër aksident po me pasojë vdekje ndodhi në autostradën Tiranë – Durrës. Këtë herë viktimë mbeti një vajzë e re.
20 – vjeçarja Jona Peza udhëtonte sëbashku me 21 – vjeçaren R.J dhe 51 – vjeçaren L.J, kjo e fundit drejtuese e mjetit, kur makina e tyre tip Ford u godit nga një Benz, që drejtohej nga një 19 – vjeçar.
Ngjarja ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës, pranë një kompanie.
Të treja gratë që ndodheshin në automjet mbetën të plagosura, por fatkeqësisht, 20 – vjeçarja Peza nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë.
Në prangat e policisë përfundoi drejtuesi i benzit, 19 – vjeçari Rodens Porja, banues në Tiranë./tvklan.al