
Tiranë/E gjithë flota e mjeteve në shërbim të qytetarëve për furnizimin me ujë
Në situatën e emergjencës për shkak të temperaturave të larta dhe thatësirës, ekipet e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë dhe të strukturave të tjera nën varësinë e Bashkisë së Tiranës janë në terren duke iu përgjigjur në çdo kohë qytetarëve.
Siç mund të shihni edhe nga këto foto të shpërndara nga Bashkia, kjo e fundit ka vendosur në dispozicion të qytetarëve autobotet e ujit në të gjithë zonat që kanë anomali të furnizimit me ujë të pijshëm, siç janë zona e Kasharit, Astirit, Babrrusë. Bashkia Tiranë ka vënë në dispozicion të UKT të gjitha mjetet ujëmbajtëse të ndërmarrjeve dhe agjencive të varësisë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në zonat më problematike.“Në Tiranë biem e ngrihemi bashkë. E gjithë flota e mjeteve të Bashkisë, Zjarrfikësve e Ushtrisë te Unaza e Re për të furnizuar pallatet e prekura nga thatësira ”
, shkruan Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj në Facebook. Në njoftimin për shtyp thuhet gjithashtu se flotës së boteve të agjencive të Bashkisë, u janë bashkuar edhe 10 mjete të ushtrisë që do të jenë në gatishmëri për t’u shërbyer qytetarëve sipas nevojës. Kryebashkiaku Veliaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që në rast se kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm, të telefonojnë në numrat e vendosur në dispozicion nga UKT 08004488 ose nga Bashkia e Tiranës 08000888./tvklan.al








