Tiranë,marinsat amerikanë në mbrojtje të diplomatëve (16 Gusht 1998)


Tiranë,marinsat amerikanë në mbrojtje të diplomatëve (16 Gusht 1998)

14:40 16/08/1998

Marinsat amerikanë zbarkojnë në Shqipëri. Frika nga një atentat terrorist ndaj diplomatëve amerikanë e ka detyruar Washingtonin të dërgojë me urgjencë në Tiranë një numër të konsiderueshëm të forcave të tij të marinës. Objektivi i tyre është ruajtja e jetës së diplomatëve dhe qytetarëve të tjerë amerikanë që kanë mbetur në kryeqytetin shqiptar pas mbylljes të
përkohshme të Ambasadës.

Kjo situatë e pazakontë ka filluar që mbas orës 16:00 të ditës së djeshme kur në bllokun e vilave amerikane u vendosën 4 autobusë me marinas. 2 të tjerë që pasuan sollën ujin e pijshëm, ndërsa një helikopter sipas një dëshmitari ka kryer furnizimin me ushqime. Në hyrjen kryesore ushtrohet një kontroll i rreptë për të gjitha makinat, madje edhe ato vetë të amerikanëve. Kjo herë pas herë ka sjellur nervozizmin e ndonjërit prej tyre por marinsat kanë urdhër të prerë për të kaluar në duar çdo person apo çdo automjet.

Kapiteni marins Osuell thotë për TV Klan se nuk është përcaktuar ende koha e qëndrimit në Tiranë, por sipas tij ata me siguri do të jenë në gatishmëri për aq kohë sa diplomatët do të kenë nevojë.Sipas kapitenit
Osuell ,marinsat u thirrën në kryeqytet nga një shqiptar për të siguruar zonën e shtëpive të personelit të ambasadës. Gjatë ditës së sotme marinsat vazhdonin të kryenin punimet intensive në rrethimin e bllokut të vilave duke dhënë pamjen e një situate me të vërtetë të pazakontë.

Sipas kapitenit Osuell, marinsat ishin vënë në dijeni të gjendjes në Shqipëri dhe tani dinë fare mirë se çfarë po ndodh realisht në vend pas lajmeve për një atentat të mundshëm terrorist. Ndërkohë që marinsat amerikanë ruajnë njerëzit e tyre është policia shqiptare ajo që kryen shërbim të zgjatur që në fillimin e rrugës për në bllokun e vilave.

Policia e Rendit, ajo Rrugore si dhe Forcat Speciale kontrollojnë paraprakisht çdo makinë që drejtohet nga rezidenca amerikane. Janë ditë të vështira për amerikanët që provojnë masa të larta sigurie për herë të dytë që pas trazirave të muajit mars të vitit të kaluar./tvklan.al

Gazetar : Roland Zili






Të ngjashme