
Tjetër atentat i dështuar ndaj biznesmenit
Qyteti i Sarandës u trondit të mërkurën nga të shtënat me armë. Rreth orës 23:00 të mbrëmjes, persona të pa identifikuar qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të një llotosporti, në lagjen numër 1 të këtij qyteti.
Në shënjestër të këtij sulmi, dyshohet të ketë qenë pronari i kësaj pike bastes, Rudin Haxhiaj. 39 – vjeçari ndodhej brenda në biznesin e tij, së bashku me klientë të shumtë që po ndiqnin ndeshjen.
Fatmirësisht nga të shtënat me armë nuk ka patur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Policia gjeti armën e zjarrit të përdorur nga autorët, një automatik model 56, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kjo nuk është hera e parë që Haxhiajt i bëhet një atentat.
Më 19 Shkurt të 2008 – ës, ai mbeti i plagosur si pasojë e një atentati me armë. Më 2 Dhjetor të 2011 – ës, në drejtim të tij u qëllua me kallashnikov dhe Haxhiaj mbeti i plagosur sërish. Në Prill të vitit 2013, atij iu vendos tritol poshtë makinës, po nuk pati dëme. Në 18 Shkurt të vitit 2015 u plagos me thikë, ndërsa më 30 Dhjetor të vitit 2015, në drejtim të Haxhiajt u qëllua sërish me armë, teksa ai lëvizte me automjet në rrugën Gjirokastër – Sarandë së bashku me një person tjetër./tvklan.al