20:03 09/04/2014Thellohet përplasja mes Ministrit të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ministri Naço ka akuzuar KLD-në për mungesë efiçence lidhur me mos futjen në rend të ditës të 12 masave disiplinore që ministria ka përcejllë ndaj gjyqtarëve, të cilët rezultojnë me shkelje ligjore.I menjëhershëm ka qënë dhe reagimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë që përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat i kërkon Ministrit Naco dhe gjithë aktorëve të tjerë të mos i bëjnë shantazh gjyqtarëve, por të fokusohen në zgjidhjen e problemeve që ndikojnë në reformimin e sistemit të drejtësisë në mirëfunksionimin e gjykatave. KLD-ja shprehet e palëkundur për të proceduar disiplinarisht gjyqtarët që abuzojnë me sistemin, dhe se është ende në pritje që Ministri të sjellë në Këshill propozimet për procedimet disiplinore, së paku, për ato raste, për të cilat janë konstatuar me shkelje pas kontrolleve të ushtruara nga inspektorati i KLD-së.Këshilli i Lartë i Drejtësisë thotë se është në unison të plotë me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë të cilët sugjerojnë se ka ardhur koha që inicimi për procedimin disiplinor te gjyqtareve që është ekskluzivitet i Ministrit të Drejtësisë të mos i lihet më në dorë atij.