Tomorri do rishpallet zonë e mbrojtur
Klosi paralajmëron ankimim të vendimit
Qeveria mbetet e vendosur për ta shpallur malin e Tomorrit “park kombëtar”, edhe pasi Gjykata Administrative Tiranë e rrëzoi këtë vendim të Këshillit të Ministrave. Ishte ministri Blendi Klosi që gjatë një takimi me ekspertë tha se do të rinisin procedurat për rishpalljen e parkut si zonë të mbrojtur.
Sipas ekspertëve, në Malin e Tomorrit gjenden specie të rralla që rrezikojnë të zhduken nëse vijon dëmtimi i tij.
Gjykata Administrative u dha të drejtë subjekteve që operonin si gurore në këtë zonë, me argumentin se ata nuk ishin pyetur nga qeveria për shpalljen e malit të Tomorrit si park kombëtar. Pronarët e guroreve kanë kërkuar rinisje të punimeve por nuk janë lejuar nga policia.
Banorët e Beratit dhe ambientalistë po përgatisin edhe një peticion drejtuar organeve shtetërore dhe gjykatës për ta shpallur parkun e Tomorrit një zonë të mbrojtur.
Tv Klan