Tragjedi në një park malor në Kalabri, 10 viktima
10 turistë humbën jetën tragjikisht, mbrëmjen e të hënës teksa vizitonin një prej parqeve kombëtarë më të famshëm turistikë të Kalabrisë.
Një grup prej 36 ekskursionistësh u gjendën të papërgatitur mes shtigjeve të bregut të lumit, teksa një valë gjigande uji e balte u erdhi papritur mori përpara disa prej tyre. Krahas 10 viktimave, trupat e të cilëve u nxorën prej operacioneve të shpëtimit që vazhduan gjatë gjithë natës, 3 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
11 persona mbetën të plagosur, mes të cilëve edhe një vajzë 14 vjeçare. 6 ndër të plagosurit janë në gjendje të rëndë në spital. Kërkimet për të zhdukurit po vijojnë intensivisht. Në shtratin e lumit ka mjaft gropa dhe shpella. Siç tregojnë dëshmitarët, ata që shpëtuan arritën të largohen këmbadorazi.
Rryma e furishme e ujit shpërtheu papritur në lumë për shkak të reshjeve masive që bien vazhdimisht në zonë. Autoritetet e parkut kombëtar malor “Parko del Polino” i kishin njoftuar turistët për rrezikun e fryrjes së lumit. Megjithatë ata thonë se ngjarja ishte e paparashikueshme, pasi ditët e fundit nuk kishin konstatuar fryrje të rrjedhës së lumit, e aq më tepër kaq papritur.
Krahas italianëve, mes grupeve të ekskursionistëve kishte dhe të huaj. Kërkimet për të zhdukurit në zonë, po vijojnë intensivisht. Për të shkuar tek vendi ku ndodhi tragjedia kalohet përmes atij që quhet “Shtegu i djallit”, që në tabelat orjentuese të zonës është e përkthyer edhe në shqip prej komunitetit arbëresh të Kalabrisë që banon aty.
Tv Klan