Tragjedia e refugjatëve
6 të mbytur në Danub, në përpjekje për të kaluar në Kroaci
Bllokimi i pjesshëm i rrugëve ballkanike për refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Afrika, po sjell tragjedi të njëpasnjëshme me humbje jetë njerëzish. Të paktën gjashtë refugjatë dyshohet të jenë mbytur në orët e para të mëngjesit, kur varka e peshkimit që ata kishin vjedhur u përmbys në rrjedhën e lumit Danub në tentative për të kaluar nga zona e Novi Sadit në Serbi drejt bregut kroat.
Në varkë ishin nëntë persona mes tyre edhe dy fëmijë. Fatkeqësisht, vetëm tre burra mbijetuan dhe arritën të dilnin nga ujërat e Danubi i akullt ndërsa gjashtë refugjatët e tjerë dyshohet se janë mbytur.
Sipas të mbijetuarve të mbyturit janë anëtarët e dy familjeve nga Iraku dhe Siria përkatësisht gratë 28 dhe 45 vjeçe, fëmijët vajza 2 vjeçe dhe djali 12 vjeçar si dhe kryefamiljarët.
Vetëm trupat e dy grave të mbytura kanë dalë në bregun e lumit. Kërkimi për trupat e tjerë po vazhdon. Më shumë se 20 refugjatë kanë humbur jetën këtë vit në përpjekje për të kaluar kur kufijtë e Serbisë në mënyrë të paligjshme.
Kjo tragjedi konfirmon faktin se mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme apo Afrika të bllokuar edhe këtë dimër në Ballkan po kërkojnë të gjitha mënyrat e mundshme për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme drejt Evropës Perëndimore nga Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja apo Serbia.
Klan Plus