Tragjedia në urën “Morandi”, një pakujdesi institucionale
Tragjedia e urës Morandi në Xhenova, që u mori jetën 43 personave, mes tyre edhe 2 të rinjve shqiptarë, mund të ishte shmangur.
Guardia di Finanza vuri në dispozicion të prokurorisë së Xhenovas një listë me rreth 30 emra të zyrtarëve të lartë italianë e drejtues të lartë teknikë, të cilët e dinin me siguri se ura ishte në rrezik shembjeje, por qëndruan indiferentë përballë duke lejuar të ndodhte tragjedia.
Mes emrave në listën e të cilësuarve si fajtorë nga mediat italiane, figurojnë drejtori, administratori i përgjithshëm dhe drejtori i qendrës operative të autostradave, si edhe disa përgjegjës së sektorëve për mirëmbajtjen e rrugëve.
Aktualisht asnjë prej tyre nuk rezulton i hetuar nga prokuroria italiane, por me t’u verifikuar rastet, mbi ta mund të rëndojnë vepra të rënda penale, si vrasje e shumëfishtë me dashje, shkaktimi me qëllim i katastrofës apo cënim me dashje i sigurisë së transporteve.
Ura Morandi ndërtuar në vitin 1967, ishte një ndër akset kryesore të qytetit të Xhenovas. Ajo ra si pasojë e gjendjes së amortizuar në një kohë ku po kryheshin punime në disa pjesë të saj.
Tv Klan