
Tragjike! Binjakët tre vjeçarë mbyten në lavatriçe
Dy binjakë të moshës tre vjeçare kanë humbur tragjikisht jetën, pasi u mbytën në lavatriçe. Aksidenti tragjik ndodhi në shtëpinë e të vegjëlve në Delhi të Indisë.
Naksh dhe Neeshu u lanë vetëm për pak minuta nga nëna e tyre. Kjo e fundit, e identifikuar vetëm me emrin Rekha, i tha policisë se e kishte mbushur lavatriçen me 15 litra ujë, për të larë rrobat. Ajo mësohet se e kishte bërë gati përpara se të dilte për të blerë detergjent në një dyqan fare pranë shtëpisë, duke u rikthyer në jo më shumë se 6 minuta. Por, kur Rekha u kthye, fëmijët ishin zhdukur. Ajo kërkoi në të gjithë shtëpinë, përpara se të kërkonte nëpër koridore dhe tek fqinjët. E shqetësuar, gruaja telefonoi të shoqin, i cili erdhi me shpejtësi në shtëpi. E pas kërkimeve, çifti zbuloi të vërtetën e tmerrshme. Ata i gjetën të vegjëlit brenda në kazanin e lavatriçes dhe pavarësisht se i nisën me urgjencë në spital, mjekët nuk mundën të bënin asgjë për ta.