Trajneri i Kombëtares vendoset këtë javë
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka pritet të vendosë këtë javë për trajnerin e ri të kombëtares. Në listën e tij janë Giancarlo Camolese, Walther Zenga, Clarence Seedorf dhe Cristian Panucci.
Tv Klan ka mësuar se gjatë kësaj jave, Duka do të takojë Panuccin, i cili duket edhe favoriti për të pasuar Gianni De Biasi-n. Ende e paqartë se kur dhe ku, por mendohet se pas këtij takimi ai do të vendosë për teknikun që do të pasojë De Biasi-n në pankinën kuq e zi, të cilin për procedurë do t’ia paraqesë edhe komitetit ekzekutiv. Një mbledhje e këtij organi të FSHF është parashikuar këtë të hënë.
Cristian Panucci aktualisht nuk drejton ndonjë ekip, por punon si analist në studiot sportive të Mediaset.
Kushti i parë i Armand Dukës për trajnerin e ri është kualifikimi në europianin e ardhshëm. Sa i përket termave të kontratës, çdo gjë tjetër është e negociueshme.
Duke qënë se Duka preferon një emër të madh në krye të kombëtares, nuk përjashtohet edhe insistimi i tij për Clarence Seedorf. Nëse palët do të bien dakord, mund të jetë holandezi ai që do të veshë uniformën kuq e zi.
Por kur bëhet fjalë për negociata, asgjë nuk është e sigurtë deri kur të hidhen firmat mbi kontratë.
Tv Klan