Tramezzani beson tek Kombëtarja shqiptare


Tramezzani beson tek Kombëtarja shqiptare

17:40 06/06/2017

Ecuria e Kuqezinjve në ndeshjet e fundit nuk e ka dekurajuar një njohës të mirë të Kombëtares. Paolo Tramezzani, ish-ndihmësi i Gianni De Biasit, mendon se skuadra e ka forcën që të reagojë.

“Unë kam besim që ky ekip mund të japë rezultate në ndeshjet e ardhshme të kualifikueseve edhe pse renditja e shikon larg nga vendet e para, por jam i bindur që do ta mbyllë në një pozitë të mirë edhe pse ka rivalë të fortë.”

Tramezzani dha mendimin e tij për Televizionin Klan edhe për sfidën që do të luhet me Izraelin të dielën në Haifa.

“Izraeli është një kundërshtar i fortë dhe që luan si grup, ka futbollistë me cilësi të mira në sulm dhe luajnë me skuadra të rëndëishme, por mendoj se Kombëtarja do të dijë të organizohet dhe do të zhvillojë një ndeshje të mirë.”

Ish-zv/trajneri i Kombëtares edhe pse drejton Luganon prej këtij viti e ndjek Kombëtaren vazhdimisht. Ai vlerëson edhe të rinjtë e afruar së fundi në grup.

“Strakoshën, Latifin dhe Grezdën i njoh mirë, pasi i kam ndjekur në të kaluarën. Janë djem  tepër interesantë. Strakosha zhvilloi një sezon të mirë me Lazio duke lënë në stol Marchettin. Latifi dhe Grezda janë lojtarë shumë të shpejtë. Mendoj se do të jenë gjatë pjesë e Kombëtares.”

Paolo Tramezzani ishte një ndër pikat kyçe të suksesit të Kombëtares që siguroi pjesëmarrjen për herë të parë në fazën finale të një Europiani.

/Tv Klan






Të ngjashme