Tramezzani: Nuk do ketë të tjera largime


Tramezzani: Nuk do ketë të tjera largime

14:15 21/08/2016

Nga Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk do të ketë të tjera largime përveç Milot Rashicës, Herolind Shalës dhe Alban Mehës që zgjodhën përfaqësuesen e Kosovës. Këtë e konfirmon zëvendëstrajneri i Shqipërisë, Paolo Tramezzani për Televizionin Klan.

Paolo Tramezzani (Zv/trajner i Kombëtares):

“Unë besoj që nuk do të ketë më largime. Të gjithë ata që kanë qenë pjesë e ekipit në grumbullimin në Austri dhe më pas ata që erdhën në Francë, kam biseduar me të gjithë dhe e dija që Rashica dhe Shala ishin të pavendosur, të tjerët më konfirmuan se duan të luajnë për Shqipërinë dhe jam i qetë për këtë.”

Vëmendja e stafit të Kombëtares është në gjetjen e lojtarëve të tjerë për skuadrën ku Paolo Tramezzani pranon se përqendrohen te përfaqësueset e moshave. Kombëtarja shqiptare po përgatitet për eliminatoret e Botërorit 2018, që nisin më 5 Shtator në sfidën me Maqedoninë në Shkodër.

Paolo Tramezzani (Zv/trajner i Kombëtares):

“Ekipi që luajti në Francë tregoi se mund të përballemi me rivalë më të fortë dhe kemi përfituar përvojë me përfaqësimin e parë. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, por jemi të vetëdijshëm që mund të paraqitemi mirë. Ëndërronim që të kualifikoheshim në Europian dhe tani të ëndërrojmë që të kualifikohemi në botëror. 

Shqipëria është në grup edhe me Italinë, Spanjën, Izraelin dhe Lihtenshtejnin, ku do të kërkohet maksimumi edhe pse nuk do të jetë e lehtë.”

Tv Klan






Të ngjashme