Transgjinori kërkon të bëhet pjesë e ushtrisë
Paulo Batista është një transgjinor i cili po përpiqet të përmbushë ëndrrën e tij dhe të babait, për t’u futur në shërbimin ushtarak amerikan.
Paulo ka krijuar palestrën e tij personale ku ushtrohet çdo ditë, ai ngre pesha dhe bën minimumi 100 pompa në ditë. Përpjekjet e tij për të plotësuar dëshirën e babait për bashkimin me ushtrinë amerikane nuk ndalojnë.
Por duket se gjithçka është e pamundur që pas ndryshimit të politikës nga Presidenti Donald Trump, i cili nuk lejon transgjinorët në shërbim ushtarak. Ligji për lejimin e transgjinorve në ushtri më parë ishte miratuar nga ish-Presidenti Barack Obama. Por pas shumë shqyrtimesh Trump e ndryshoi atë.
Pas përpjekjeve të njëpasnjëshme, Batista tha se gjithë çka ka dëgjuar nga ushtria ka qenë heshtje ose mbyllje dyersh para syve.
Batisa, përveç përgatitjes së tij fizike vazhdon edhe studimet për Aftësi Profesionale të Shërbimeve të Armatosura, një test aftësie ky i zhvilluar nga Pentagoni për të matur potencialin e një rekrutuesi. Ai është 36 vjeç dhe e di që kjo moshë është shumë madhe për t’u bashkuar me ushtrinë ose marinsat, megjithatë është përqendruar te Marina dhe Forcat Ajrore.
Sa i përket ligjit për transgjinorët në shërbim ushtarak, Gjykata Supreme e SHBA-ve ka vendosur që politika e Trump mund të qëndrojë deri në përfundim të proceseve gjyqësore. Gjykata ka lejuar që shumica e personelit ushtarak transgjinor që ishin më parë të vazhdojnë shërbimin, por që nga viti 2019 nuk janë pranuar rekrutë të rinj.
Edhe pse Departamenti i Mbrojtjes është kontaktuar disa herë nga agjencia Reuters lidhur me këtë temë, asnjë nga zyrtarët nuk kanë dashur të komentojnë. Batista e quan gjithë këtë një diskriminim shkaku që ai është transgjinor.
Në fillimet e tij ai ishte futur si femër në Korpusin e Trajnimit të Oficerëve të Rezervës së re ushtarake, por ishte larguar në mënyrë që të kujdesej për babanë e tij të sëmurë, i cili vdiq në vitin 2007.
“Unë nuk dua të bëj asgjë më shumë sesa ta bëj heroin tim të jetë krenar për mua nga lart”, u shpreh Batista duke iu referuar babait të tij dhe e mbylli me fjalët se “ëndrra e vërtetë amerikane që të gjithë e njohim është liria e pastër, pa marrë parasysh kush dhe çfarë jemi”.
36-vjeçari vazhdon të shpresojë në një ndryshim ligji që do të lejojë transgjinorët të bëhen pjesë e shërbimit ushtarak amerikan dhe pret t’i ofrohet mundësia t’i shërbejë vendit të tij si çdo njëri tjetër./tvklan.al