Tre të mëdhenjtë në garë për Kavajën


Tre të mëdhenjtë në garë për Kavajën

15:49 26/05/2017

Edhe pse janë në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare, zgjedhjet e pjesshme në Kavajë do të jenë një garë interesante. Dhe kjo vetëm për shkak të shtyrjes së tyre në kohën kur opozita kërcënonte nga çadra e saj në bulevard se do t’i bllokonte, por edhe pse garës së 25 Qershorit i është shtuar dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Kjo forcë ka regjistruar zytarisht në KQZ Maksim Konën, si kandidatin e saj për kreun e Bashkisë së Kavajës.

E shtuna e 27 Majit është afati i fundit për të dorëzuar emrat e kandidatëve për këto zgjedhje dhe burime të Televizionit Klan pranë Partisë Socialiste bëjnë të ditur se socialistët do të përfaqësohen me Dorian Muratin në këtë garë, duke hequr dorë nga kandidatura e Klodian Shehit, i cili u regjistrua për zgjedhjet e 7 Majit, e që aktualisht drejton Bashkinë pas largimit të Elvis Roshit.

Demokratët po ashtu presin momentin e fundit për të zyrtarizuar kandidatin e tyre dhe emri më i përfolur është ai i Isa Sakës, i cili drejton degën e kësaj force në Kavajë.

Në dy përballjet e fundit elektorale në këtë Bashki, në zgjedhjet e 2011 dhe ato të 2015, rezultatet e arritura nga të 3 forcat e bëjnë të vështirë të bësh një parashikim për fituesin.

Në garën e 2011, PS, edhe pse fitoi drejtimin e Bashkisë, mori me pak vota për Këshilla, ku PD ishte në avantazh me afro 4 %, krahasuar me PS, ndërsa LSI në koalicion me PD në ato zgjedhje, arriti të marrë vetëm afro 7% të vota politike.

Por ndërkohë 4 vite me pas vota direkte për këtë force po në Bashkinë e Kavajës u llogarit në afro 16%, kjo edhe për shkak të ndarjes së re territoriale, që i jepte një shtrirje më të re kësaj Bashkie.

Ndërsa dy partitë e mëdha, sërish edhe pse në diferencë të madhe sa i takon votës për kandidatët, në votën për këshillat ishin larg njëra – tjetrës me vetëm afro 3%, tashmë në favor të socialistëve.

Tv Klan






Të ngjashme