Tregtia në rritje, shtohet kërkesa për blerjen e ushqimeve


Tregtia në rritje, shtohet kërkesa për blerjen e ushqimeve

16:50 16/12/2020

Me rënie hotelet, restorantet dhe sektori i transportit

Sektori i tregtisë me pakicë ka shënuar një rritje në nivelin 3% gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, sipas Institutit të Statistikave. Tregtia ka qenë sektori me treguesit më pozitivë si në rritjen e numrit të të punësuarve, edhe në indeksin e pagave. Kërkesa për blerjen e mallrave ushqimorë sipas Shoqatës së Industrisë Ushqimore ka qenë më e lartë se një vit më parë në 3 mujorin e tretë, ndërsa po vihet re një shtim i kërkesës për festat e fundvitit.

Ka patur një rritje të kërkesës e sidomos për mallra shqiptare. Ditët e fundit po shohim një tendencë goxha të lartë, pak më të madhe e se vitin e shkuar për të bërë blerjet e fundvitit”, shprehet Alban Zusi nga Shoqata Industria Ushqimore.

Kundrejt rigjallërimit të konsumit, sektori i hoteleve u tkurr në këtë periudhë me 34% dhe ai i bareve dhe restoranteve me 25% thotë INSTAT.

Për Alban Zusin efekti i rënies së këtyre industrive lidhet me shtrëngimin e masave dhe bllokimin e lëvizjeve mes shteteve, por ai sqaron se kërkesa e reduktuar për mallra nga ky zinxhir po kompensohet nga kërkesa e shtuar e supermarketeve.

Vërtet kemi një rënie të kërkesës për furnizime me ushqime nga hotelet dhe baret e restorantet, por kjo po kompensohet nga rrjeti i supermarketeve, sepse po konsumohet më shumë në familje”, shton Zusi.

 Transporti, agjencitë e udhëtimit dhe industria nxjerrëse rezultojnë po ashtu si sektorët më të prekur nga pandemia, ndërsa ndërtimi shënoi një rritje të shitjeve me 16.5% krahasuar me një vit më parë.

Tv Klan






Të ngjashme