Trendi i personalizimeve prej ari
Të ftuar në programin “Rudina”, në Tv Klan ishin një çift bashkëshortësh të apasionuar pas përpunimit të metalit të arit, si dhe gurëve të çmuar. Bëhet fjalë për Gëzim dhe Afërdita Shpërdheja, të cilët kanë rreth 37 vite që merren me përpunimin e arit, fillimisht në Patos të Fierit dhe më pas e kanë shtrirë aktivitetin e tyre në Tiranë. Pjesë të këtij pasioni ata kanë dhe dy djemtë e tyre.
Gëzim Shpërdheja: Kemi prej vitit 1983, që kemi filluar me zanatin dhe i jemi përkushtuar punës së dorës, edhe atëherë ka qenë tjetër edhe punimi. Ne lëndën e parë gjithmonë kishim material nga vetë klienti, i shkrinim dhe i punonim. Sot kanë hyrë metoda moderne, kurse atëherë shkrinim me qymyr druri, veglat ishin sharrë dhe limë dore vetëm. Kjo ishte e bukura e asaj kohe.
Dy djemtë e tyre, edhe pse kanë përfundur universitete në degë të ndryshme, ata vazhdojnë punën me metalin e çmuar me metoda bashkëkohore duke përdorur dizenjimin për disa punime të personalizuara.
Afërdita Shpërdheja: Gjërat e personalizuara i kërkojnë prej ari, unazat, vathët, zinxhirët, çdo gjë kërkohet nga klientët. Trendi është të personalizuara sepse kur ke diçka të personalizuar aty brenda, ke diçka që e ke dizenjuar me veten tënde, je menduar shumë. Edhe klienti mundohet të bëjë diçka më të veçantë, pastaj kjo dëshirë e klientit vjen tek ne dhe ne e dizenjojmë dhe bëjmë më të mirën e mundshme. Çunat merren me metoda bashkëkohore dhe e kanë zhvilluar edhe më shumë biznesin./tvklan.al