Tritan Shehu intervistë – (15 Nëntor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Intervistë me deputetin e Partisë Demokratike zotin Tritan Shehu.
Tritan Shehu, deputet i PD:- “Po punohet për paraqitjen e një platforme e një programi, brenda programit të PD, i cili ka për detyrë liberalizimin e mëtejshëm të PD, ndryshime statutore të domosdoshëm në PD, ndryshime strukturale të domosdoshme në PD, krijimin e një mundësie ribashkimi hapje brenda opinionit të gjerë dhe brenda opinionit ndërkombëtar. Gjëra këto që për mendimin tim nuk mund të realizohen dot, po nuk u shty procesi drejt një kongresi të ri të jashtëzakonshëm te partisë, pra ribërjes së atij Kongresi të kaluar i cili ka lënë shije mjaft të hidhura në mënyrë që të realizohen ato ndryshime që PD i ka të domosdoshme për t’u kthyer forca kryesore politike e vendit dhe forca fituese në zgjedhjet e ardhshme”.
Gazetarja:- Kur mendoni se mund të realizohet ky Kongres?
Tritan Shehu, deputet i PD:- “Unë them që për këtë gjë është e domosdoshme të ecim në rrugën së pari të sensibilizimit të opinionit publik brenda PD dhe jashtë PD dhe më tej. Ashtu si u realizua procesi i dominimit të idesë kundër bojkotit ashtu si u realizua procesi i dominimit të idesë së krijimit të një grupimi alternativ brenda PD unë jam i bindur se po ashtu do krijohet dominimi i idesë së domosdoshmërisë së një Kongresi të ri për të ribërë Kongresin e kaluar të Partisë Demokratike”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego