Tritan Shehu, intervistë – (28 Tetor 1999)


Tritan Shehu, intervistë – (28 Tetor 1999)

23:00 28/10/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Moderatorët e PD me një strukturë konkrete përballë pjesës në pushtet të kësaj partie. Të larguarit dhe të përjashtuarit nga forumet e larta demokrate pasi kanë hartuar strategjitë konkrete do të fillojnë hapat për ndryshimet në PD. Sipas ish-kryetarit Tritan Shehu kjo lëvizje do të përfshijë majën e piramidës duke u shtrirë gjerësisht në bazë.

Tritan Shehu, deputeti i PD:- “Tashmë po punohet për platforma, për idera mbi statutin, mbi organizimin e PD për atë që duhet të ndryshojë PD për t’u kthyer me gjithë mend një force demokratike që do ta çojë vendin në zgjedhje të reja dhe në fitore mbas kësaj. Ne po punojmë intensivisht, kontaktet janë të shumta dhe të jeni të bindur që shpejt do të ketë edhe lëvizje formale të qarta brenda PD në këtë drejtim”.

Gazetarja:- Ç’kuptoni me këtë lëvizje formale?

Tritan Shehu, deputeti i PD:- “Lëvizje formale unë shpreh të gjitha format alternativa të paraqitura në forma formale dhe forma të sakta brenda programit të PD. Shumë shpejt do të jeni në dijeni të këtyre gjërave. Problemi është për lëvizje të cilat do t’i japin Partisë Demokratike hapësirat e nevojshme që i takojnë asaj në këto momente të vështira të Shqipërisë”

Gjithsesi për këtë grup demokratësh ky është vetëm fillimi, pasi Kongresi sapo ka përfunduar dhe kundërshtarët zotërojnë të gjitha forumet drejtuese të PD./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme