Tritan Shehu për Sali Berishën (7 Dhjetor 1999)
Akuza të reja ndaj ish Presidentit Sali Berisha. Sot ish Zëvëndës Kryeministri Tritan Shehu e ka akuzuar atë për lidhje të drejtpërdrejta me firmën piramidale “Gjallica” dhe ish bosen e saj Shemsie Kadria.
” Ish Presidenti Berisha ka marrë në telefon Kryeministrin Meksi dhe i thotë se ka informacione se Shemsie Kadria do të largohet nga Shqipëria dhe duhet ndaluar dhe nuk duhet lejuar të ikë nga aeroporti. Fatkeqësisht kjo telefonatë ishte bërë tre çerek ore pas largimit të saj. I ushtroj pyetjet zotit Berisha a nuk kishte mundësi të dinte dhe orët dhe mënyrat e lëvizjes së Shemsies? Nuk dua ti bëj koment as dhe një akuze por thashë vetëm një fakt sot.”
Pasi ka treguar faturat e pageses së mjekimit të dhëmbëve në klinikën “Gjallica” gjë për të cilën Shehu është akuzuar sot në gazetën “Rilindja Demokratike” ai ka folur për herë të parë për Shërbimin Sekret Informativ të Berishës. Shehu duke dekonspiruar hierarkinë brenda Partisë Demokratike u shpreh se atje asgjë nuk bëhet pa dijeninë e Berishës. Ai vendos për gjithçka.
” Saliu ka treguar se nuk merr asnjë mësim dhe nuk ka pësuar asnjë korigjim nga disfatat. Me këtë rast ai tregon se është i pakorigjueshëm. Diagnoza ime si mjek, është se ai është i pakorigjueshëm.”/tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego