Tritan Shehu,intervistë (31 Gusht 1999)
Afrimi i datës së kongresit të Partisë Demokratike thellon çdo ditë e më tepër problemet brenda saj. Në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë së demokratëve Kryetari Berisha duke shpërfillur kryesinë ka propozuar që programi dhe statuti i ri i partisë që do të paraqitet në Kongres të miratohet nga Këshilli Kombëtar me 5 Shtator. Pas kësaj ka reaguar ashpër ish Kryetari demokrat Tritan Shehu.
Tritan Shehu: Mua më duket se kjo është një deligjitimim faktik i kryesisë dhe formal i saj është një avancim i asaj që do bëhej pas Kongresit me statutin e ri, është një ecje në atë rrugë e cila ka për qëllim të ngrejë dhe të konsolidojë dhe ti japë PD-së vetëm fytyrën e kryetarit të saj, të krijojë një distancë të madhe midis kryetarit dhe funksioneve politike të PD-së, ti
zhvleftësojë këto institucione, pra në fund të fundit të thellojë privatizimin e PD-së. Mua më duket se kjo që ka ndodhur dje është një rast i paprecedentë në historinë e Partisë sonë sepse gjëra kaq të rëndësishme, gjithmonë materialet në këshill kombëtar janë përcjellë nga kryesia, dhe nuk është e mundur të paktën me statutin aktual, që statuti, projektstatuti, projektprogrami të kalojë në Këshill Kombëtar pa kaluar një herë së paku në kryesi, për të mos thënë pastaj problemin e diskutimit publik të tyre. Unë e shoh këtë me shqetësim, e shoh si një sinjal të rëndë për vetë demokracinë e PD-së dhe të them të drejtën e shoh dhe me shqetësim edhe vetë faktin sepse unë mendoj që kolegët e mi anëtarë të kryesisë duhet të reagojnë më qartë, më drejtë, më publikisht ndaj këtyre gjërave, sepse në fund të fundit janë ata të cilët po zhvlerësohen, po shumëzohen me zero./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego