Atentat me eksploziv në Tiranë


Atentat me eksploziv në Tiranë

19:13 15/09/2020

Plagoset rëndë Preng Gjini

Kryeqyteti është tronditur nga një shpërthim me tritol në një makinë pasditen e kësaj marte. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e “Pallatit me Shigjeta”.

Tvklan.al mëson se nga ngjarja dyshohet se ka mbetur i plagosur 50-vjeçari Preng Gjini nga Mirdita, i cili ndodhet në gjendje të rëndë. Ai është vëllai i Armando Gjinit, i vrarë në një atentat në Rrëshen në Gusht të 2019-s.

Pas atentatit të sotëm dyshohet se fshihen motivet e hakmarrjes. Siç duket nga pamjet, dyshohet që makina të ketë qenë në lëvizje në momentin e shpërthimit.

Atje është nisur një ambulancë dhe një zjarrfikëse, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë për shkak të shpërthimit kanë qenë të shumtë njerëzit që janë mbledhur pranë vendit të ngjarjes.

Vëllai i të plagosurit, Armando Gjini, i cili u ekzekutua me breshëri automatiku një vit më parë në qendër të Rrëshenit, në 2018-n ishte arrestuar së bashku me 17 persona të tjerë si pjesë e grupit kriminal të Met Kananit, i njohur si bosi i një klani ndërkombëtar droge që vepronte në Turqi./tvklan.al






Të ngjashme