Tritol makinës së një 42 – vjeçari, policia heton në pistën e hasmërisë
Automjeti i një 42 – vjeçari nga Vlora shpërtheu mbrëmjen e të martës në Vlorë, pak momente ai zbriti prej tij. Shpërthimi ndodhi rreth orës 22:30, kur ky Elton Ismaili sapo kishte mbërritur në afërsi të banesës së prindërve të tij. Vetë pronari i mjetit e lidh ngjarjen me një histori të gjatë hasmërish.
“Më kanë vrarë vëllain, dajon, motrën. Nuk di motivet për të cilat janë bërë. Nuk janë zbardhur asnjëherë ia kam lënë në dorë shtetit. Kohët e fundit nuk kam pasur kërcënime, por ky është një kërcënim”.
Mësohet se Ismailit, në vitin 1996, persona të panjohur i kanë vrarë të vëllain, në vitin 2006 dajën dhe në vitin 2007, të motrën. Ky është rasti i dytë i vendosjes së eksplozivit ndaj Ismailit, pasi më parë atij i kanë vendosur një sasi tjetër në afërsi të një diskoje.
Ende nuk ka persona të dyshuar në lidhje me ngjarjen, por policia ka përqendruar hetimet në pistën e konflikteve të vjetra që ka pasur Ismaili.
Tv Klan