
Trump i përgjigjet Merkelit me paralajmërim
Presidenti amerikan Donald Trump i është përgjigjur deklaratave të kancelares gjermane Angela Merkel me paralajmërimin se gjërat në marrëdhëniet SHBA-Gjermani do të ndryshojnë.
“Koha kur mund të mbështeteshim plotësisht tek të tjerët ka marrë fund. E kam provuar këtë gjatë ditëve të fundit. Ne europianët duhet ta marrin fatin tonë në dorë”, tha Merkel gjatë një mitingu elektoral në Mynih, ku njoftonte se marrëdhëniet e Gjermanisë dhe BE-së me Britaninë e Madhe dhe me Amerikën e Trumpit nuk do të ishin më si më parë.
Por e menjëhershme ka qenë edhe kundërpërgjigjja e Trumpit, i cili në një tweet të martën tha se “Kemi deficit të jashtëzakonshëm tregtar me Gjermaninë, plus që ata paguajnë shumë më pak se duhet për NATO-n dhe Ushtrinë. Shumë keq për SHBA-të. Kjo do të ndryshojë”.
Postimi i trupit në Twitter raportohet se ishte vazhdim i gjuhës që ai ka përdorur në takimin me liderët evropianë në Bruksel, ku tha se “gjermanët janë të këqij, shumë të këqij”.
Kreu i grupit parlamentar të social-demokratëve, partnerë në koalicion me Merkelin, Thomas Oppermann është kundërpërgjigjur duke theksuar se postimi i Trumpit bën të qartë se ai e shikon Gjermaninë si një kundërshtar politik.
Ndërsa kryetari i Social demokratëve, Martin Schulz raportohet se e ka quajtur Trumpin “shkatërrues të vlerave perëndimore”. /tvklan.al