Trump: Jemi në krizë sigurie, muri do të funksionojë
Ashtu si kishte paralajmëruar kur i dha fund bllokimit të qeverisë federale pak javë më parë, Donald Trump shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare. Presidenti i hap rrugë kësisoj financimit të muri në kufi me Meksikën, duke anashkaluar Kongresin dhe ngjallur polemika me demokratët.
Donald Trump, president i SHBA-ve :
Do të firmos gjendjen e emergjencës kombëtare. Do të përballemi me krizën e sigurisë kombëtare në kufirin tonë jugor. Bëhet fjalë për një pushtim të vendit tonë me drogë, trafik të qenieve njerëzore, me të gjitha llojet e kriminelëve dhe bandave.
Gjendje e emergjencës do t’i lejojë presidentit të sigurojë një fond prej 8 miliardë Dollarësh nga Departamenti i Thesarit dhe ai i Mbrojtjes. Në të njëjtën kohë shefi i Shtëpisë së Bardhë do të nënshkruajë edhe buxhetin për 2019-ën, që shmang një mbyllje të dytë të qeverisë.
Gjatë fjalimit për shpalljen e emergjencës kombëtare, presidenti Trump u përplas sërish me gazetarin e CNN, Xhim Akosta, të cilin e akuzoi për pyetje tendencioze dhe raportim të rremë.
Tv Klan