Trump: largohem nëse Biden votohet në kolegj
“Betejën për votat do ta çojmë deri në fund”
Donald Trump jep shenja se po pranon humbjen. Në një bashkëbisedim me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, ai u shpreh se do t’ia lerë vendin presidentit të zgjedhur Joe Biden, nëse ai votohet nga shumica e nevojshme e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor më 14 Dhjetor.
Megjithatë është i bindur se votat ia kanë vjedhur siç ndodh në vendet e botës së tretë dhe premton se betejën e tij do ta çojë deri në fund.
“Sigurisht që do largohem, por mendoj se do të ndodhin shumë gjëra deri më 20 Janar, shumë gjëra”.
Pak ditë më parë, presidenti në detyrë urdhëroi nisjen e procedurave të kalimit të pushtetit tek pasardhësi i tij. Por stafi i avokatëve të Trumpit po bën të gjitha përpjekjet që çështjen e manipulimit të votave ta çojë në Gjykatën Supreme, ku shpreson të jepet vendim në favor të tij.
Mediat amerikane shkruajnë se në ditët e fundit të administratës Trump mund të ndodhë një sulm i papritur i ushtrisë amerikane ndaj Iranit. Për këtë Izraeli ka vënë në heshtje në gatishmëri ushtrinë.
Tv Klan