Trump del nga spitali dhe heq maskën
Thirrje amerikanëve: Mos kini frikë nga Covid-19, vetëm tregoni kujdes
Pas tri ditësh kurimi në spital për shkak të infektimit me COVID-19, Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë. Në mënyrë demonstrative, ai hoqi maskën para mediave duke ngritur gishtat e mëdhenj të duarve për të treguar se gjithçka për të shkon mirë.
Në të parën deklaratë në Shtëpinë e Bardhë pas daljes nga spitali, Trump u bëri thirrje amerikanëve të mos kenë frikë nga COVID-19.
“Mos lejoni që t’ju mposhtë. Mos kini frikë prej tij. Tregoni kujdes, por dilni jashtë dhe jetoni. Ne kemi ilaçet dhe pajisjet më të mira mjekësore, të gjitha të zhvilluara kohët e fundit. E di që ka rrezik, por tani jam më mirë se ç’jam ndjerë në 20 vitet e fundit. Ndoshta kam imunitet”, tha ai.
Megjithatë stafi mjekësor që u kujdes për të thotë se Trump ende nuk ka dalë krejtësisht jashtë rrezikut. Sipas rregullit, atij do t’i duhet të qëndrojë në izolim derisa analizat ta shpallin zyrtarisht të shëruar nga Covid-19.
Shtetet e Bashkuara të drejtuara prej tij kanë shifrën më të lartë në botë prej gati 7.7 milionë të prekurish prej të cilëve mbi 215 mijë kanë humbur jetën deri më tani.
Tv Klan