Trump miraton kurimin e Covid me plazmë


Trump miraton kurimin e Covid me plazmë

09:45 24/08/2020

“Moment historik, do të  shpëtojë shumë jetë”

Shtetet e Bashkuara janë vendi i radhës në botë që lejojnë kurimin me plazmë të pacientëve të infektuar me Covid-19. Administrata e Ilaçeve dhe Ushqimit hapi dritën e gjelbër për përdorimin e kësaj metode në spitale e klinika ku ka pacientë me koronavirus. Presidenti amerikan Donald Tramp shprehu entuziazmin për autorizimin e këtij trajtimi.

“Sot jam shumë i kënaqur që bëj publik lajmin historik në betejën kundër virusit të Kinës, që do të shpëtojë jetë njerëzish pa fund. Trajtimi me plazmë konvaleshente ka dhënë prova se redukton vdekshmërinë deri në 35% tek pacientët nën 80 vjeç, një shifër e llahtarshme”, tha ai.

Autorizimi i terapisë së plazmës erdhi një ditë pasi Trump akuzoi drejtuesit e Administratës së Ilaçeve se po zvarrisnin punën për krijimin e vaksinave dhe ilaçeve të tjera kundër Covid-19 për arsye politike që lidheshin me konventën republikane të kësaj jave, ku ai do të zgjidhet kandidat për të garuar për një mandat të dytë presidencial.

Plazma konvaleshente sigurohet përmes transfuzionit të gjakut nga pacientët që e kanë kaluar koronavirusin dhe kanë nivel të lartë anti-trupash, tek ata që janë duke e kaluar infeksionin.

Kjo metodë është përdorur në testime për të trajtuar dhjetëra mijëra pacientë me Covid-19 në ShBA. Disa shkencëtarë thonë se kjo metodë ka edhe anë të panjohura, ndaj nuk mund të konsiderohet ende si zgjidhja për kurimin e Covid-19. 

Shtetet e Bashkuara numërojnë mbi 177 mijë viktima mes më shumë se 5.7 milionë të prekurve, më shumë se në çdo vend tjetër të botës.

Tv Klan






Të ngjashme