Trump shmang Gjykatën Supreme
Pas rrëzimit nga një gjykatë apeli të urdhrit të presidentit Donald Trump për ndalimin e qytetarëve nga 7 vendet myslimane, shefi i Shtëpisë së Bardhë po vlerëson mundësinë e një strategjie të re, duke shmangur përballjen me Gjykatën Supreme të SHBA.
Trump u tha gazetarëve se një urdhër i ri ekzekutiv mund të hartohet në ditët e para të javës së ardhshme.
Sipas “Washington Post”, presidenti amerikan mund të zëvendësojë urdhrin për ndalim me një plan masash shtrënguese, për të shmangur figurën e keqe që në muajin e parë të detyrës.
Ndërsa “CNN” shkruan se Trump do të rishikojë urdhrin ekzekutiv, veçanërisht duke nënvizuar faktin se personat e pajisur me Kartën Jeshile, pra rezidentët e përhershëm në SHBA, nuk do të preken nga masa ndaluese.
Mbetet e paqartë se si do të pritet ndryshimi i strategjisë së Trump. Vetë Presidenti Amerikan e kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Apelit në San Fransisko, duke theksuar se në lojë janë fatet e vendit./ TV KLAN