Trump telefonon Xi Jinping, mbështet “Kinën e Vetme”
Ndryshe nga sa kishte lënë të kuptohet në kohën e tranzicionit të pushtetit, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, mbështet politikën e “Një Kine të vetme”, duke konsideruar Taivanin si pjesë të superfuqisë aziatike. Shtëpia e Bardhë konfirmoi lajmin duke njoftuar se presidenti Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij Xi Jinping. Dy liderët ftuan njëri-tjetrin për vizitë. Politika e “Kinës së vetme” është qëndrimi zyrtar i Pekinit, që pretendon se ka vetëm një qeveri kineze, që përfshin edhe Taivanin. Shtetet e Bashkuara e njohin prej dekadash politikën e “Kinës së vetme”, por Donald Trump trazoi jo pak balancat me një telefonate me presidente e Taivanit, në muajin dhjetor. Për pasojë, Pekini nisi një ankesë zyrtare ndaj Uashingtonit.
Ndërkohë presidenti amerikan sheh t’i ndërlikohet synimi për ndalimin e emigrantëve nga 7 vende myslimane, pasi një gjykatë apeli hodhi poshtë kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për të kthyer në fuqi urdhrin e shumëdebatuar presidencial. Trump reagoi menjëherë pas vendimit, duke premtuar se do ta apelojë sërish vendimin, pasi në lojë është siguria e vendit.
Tv Klan