Trump tensionon marrëdhëniet me Pekinin


Trump tensionon marrëdhëniet me Pekinin

18:40 18/12/2016

Presidenti i zgjedhur amerikan vijon të përshkallëzojë tensionet me Pekinin duke thënë se Kina mund ta mbajë dronin që i ka vjedhur Shteteve të Bashkuara të Amerikës

“Duhet t’i themi Kinës se nuk dëshirojmë që të na kthejë dronin që na ka vjedhur. Le ta mbajë.” Kështu shkruan në Twitter presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, duke komentuar sërish episodin që pa të përfshirë Uashingtonin dhe Pekinin me sekuestrimin nga ana e autoriteteve kineze të një droni amerikan që përdorej nga marina amerikane për monitorimin e ujërave ndërkombëtare.

Tensioni mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte i lartë për të paktën 24 orë, mes akuzave të ndërsjellta, para deklaratës nga ana e Pentagonit për arritjen e një marrëveshjeje për rikthimin e dronit

Pekini i kishte dërguar Uashingtonit një sinjal të qartë dhe të vendosur duke pohuar në një deklaratë të ministrisë së mbrojtjes se droni amerikan ishte sekuestruar për të garantuar një lundrim të sigurt të anijeve në tranzit. Duke theksuar gjithashtu se droni do i dorëzohet sërish Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrën e duhur pa dhënë shumë detaje për kohën.

Por, tensionet janë përshkallëzuar pas reagimit të presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, i cili në këtë rast e cilësoi sjelljen e autoriteteve kineze si të paprecedentë.

Tv Klan






Të ngjashme