Trump viziton Londrën në fillim të muajit Dhjetor


Trump viziton Londrën në fillim të muajit Dhjetor

08:48 16/11/2019

Presidenti amerikan Donald Trump në fillim të Dhjetorit do të vizitojë Londrën për të marrë pjesë në një samit të NATO-s, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Presidenti amerikan pritet të diskutojë për shpenzimet e mbrojtjes nga ana e vendeve aleate, si dhe do të adresojë “rreziqet sigurisë kibernetike dhe terrorizmit”.

Samiti i 70-vjetorit të Aleancës do të mbahet më 3 dhe 4 Dhjetor në një qendër luksoze golfi afër Londrës.

Shtëpia e Bardhë tha se Trump, në samitin e NATO-s, do të vlerësojë përparimin e organizatës, duke vënë në dukje që vendet anëtare duhet të ndajnë barrën financiare më mirë.

Trump do të qëndrojë në Britaninë e Madhe në ditët e fundit të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të planifikuara më 12 Dhjetor.

Këto zgjedhje janë të rëndësishme, për të adresuar çështjen e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Presidenti amerikan, nuk e ka fshehur më parë mbështetjen e tij për kryeministrin britanik, Boris Johnson. Trump është zotuar për një marrëveshje tregtare “madhështore” pasi Britania të tërhiqet nga anëtarësimi në BE.

Sidoqoftë, ai kohët e fundit shprehu rezerva në lidhje me ujdinë që “miku i tij” Johnson kishte arritur me Brukselin për Brexitin, duke deklaruar se një marrëveshje e tillë nuk do të ishte e mirë për një marrëveshje të ardhshme tregtare me SHBA-në.

Presidenti amerikan ishte në Londër në fillim të qershorit, pak para dorëheqjes së Kryeministres së atëhershme, Theresa May, të cilën ai e kishte kritikuar disa herë. /REL






Të ngjashme