Trump, zyrtarisht kandidat për President
“Biden është “Kali i Trojës” për të majtën radikale”
Donald Trump pranon zyrtarisht kandidaturën republikane për zgjedhjet presidenciale të 3 Nëntorit në Shtetet e Bashkuara. Në fjalimin e tij në Uashington përpara dhjetëra të pranishëmve, shefi aktual i Shtëpisë së Bardhë u bëri thirrje votuesve, të mos e mbështesin Biden-in, pasi sipas tij rivali demokrat do të shkatërrojë ëndrrën amerikanë.
“Mos bëni gabime. Po i dhatë pushtetin Joe Biden-it, e majta radikale do të nxjerrë policinë jashtë funksionit në gjithë vendin. Do të shkatërrojë vendet tona të punës dhe do t’i çojë sërish në Kinë. Biden është “Kali i Trojës” për socializmin dhe të majtën radikale”, tha Trump.
Nuk mungoi spektakli i fishekzjarreve që i dha fund ditës më të rëndësishme të konventës republikane. Siç shkruajnë mediat amerikane, të ftuarit në konventë nuk respektuan distancën e po ashtu nuk mbanin maska duke shkelur protokollet e pandemisë.
Javën e kaluar, edhe demokratët përmbyllën konventën e tyre ku përzgjodhën dyshen Biden – Harris që do të garojë përballë Trump-it e Pence-it në zgjedhjet e 3 Nëntorit.
Tashmë i hapet rruga nisjes së fushatës elektorale.
Tv Klan