Tsipras – Ramës: Minoriteti grek, kusht për rrugën e Shqipërisë drejt BE
Rëndësia e forcimit të marrëdhënieve bilaterale në të mirë të popullit shqiptar dhe atij grek, si dhe përforcimi edhe më tej i marrëdhënieve në rajon ishte në qendër të bisedës telefonike të zhvilluar këtë të martë mes Kryeministrit Edi Rama dhe atij grek Alexis Tsipras.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke që shkruajnë se nga ana e tij, Tsipras theksoi se mbetet i vendosur për të përforcuar marrëdhëniet me vendin tonë, megjithatë ai tha se ngjarjet e kohëve të fundit dhe rritja e retorikave nacionaliste, sipas mediave helene, nga ana e Shqipërisë, janë shqetësuese, duke theksuar se konsolidimi i klimës të besimit është e nevojshme për progresin e marrëdhënieve bilaterale.
Në të njëjtën kohë, mësohet se Tsipras i tha Kryeminsitrit Rama se duhen hapa dhe rezultate konkrete të bashkëpunimit mes dy vendeve, për të cilat Greqia ka ndërmarrë një sërë iniciativash.
Në fund, shkruajnë mediat fqinje, Tsipras mësohet se theksoi se mbrojtja e të drejtave të minoritetit grek është çëshja kryesore për marrëdhëniet mes dy vendeve, por gjithashtu kushti kryesor për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian./tvklan.al