Tuneli i Llogarasë, fiton konsorciumi IC Consulenten
5.93 kilometra i gjatë, Ura e Palasës 120 metra
Kështu do të duket pas ndërtimit, projekti i tunelit të Llogarasë. Ky është projekti që fitoi garën, i krijuar nga një kompani austriake, një sllovene dhe një shqiptare.
Konsorciumi IC Consulenten parashikon në projektin e detajuar inxhinierik që tuneli të jetë 5930 metra i gjatë dhe ura që do të lidhë tunelin me Palasën 120 metra.
Në garë për përzgjedhjen e projektit final ishin dy kompani, ku IC Consulenten ia doli të mundë kompaninë italiane që ka ndërtuar tunelin më të gjatë në botë.
Tashmë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të llogaritë koston e tunelit dhe do të hapë brenda vitit garën për nisjen e punimeve. Tuneli do të ketë dy korsi në secilin krah të tij, njëri me gjerësinë 3.5 metra dhe një korsi emergjence prej 1.25 metrash.
Shpejtësia e lëvizjes së automjeteve do të jetë deri në 80 kilometra në orë, çka mundëson kalimin e Qafës së Llogarasë për 7 minuta.
Tuneli do të jetë me pagesë për automjetet që do ta përshkojnë atë, por do të jetë studimi i fizibilitetit ai që do të përcaktojë tarifën. E gjithë vepra do të financohet nga buxheti i shtetit, me ndihmën e institucioneve financiare ndërkombëtare përmes kredive të buta.
Tv Klan