Turi i Ramës në jug të vendit, inspekton punimet e Rilindjes Urbane
222 milionë lekë është investimi i qeverisë për restaurimin dhe konsolidimin e pazarit të Gjirokastrës, në kuadër të Rilindjes Urbane.
Pjesë e ndërhyrjeve në këtë qytet është edhe një projekt i ri, që synon restaurimin e 20 shtëpive të shkrimtarëve për të dhënë modele të rijetëzimit të banesave të vjetra në hotele, restorante dhe zyra shërbimi.
Kryeministri Edi Rama kërkoi inkurajimin e sipërmarrësve dhe investitorëve që të bëhen pjesë e realizimit të kësaj ideje që synon ta bëjë edhe më atraktive Gjirokastrën nga pikëpamja turistike.
Kryeministri Edi Rama:
Ajo që ne duhet të bëjmë gjithmonë e më shumë me insistim, është që t’i ftojmë sipërmarrësit që të bëhen pjesë e këtij programi. Rrjeti i Shtëpive të Shkrimtarëve ku çdo shtëpie t’i vëmë emrin e një shkrimtari të dashur për Kadarenë, do ta bëjë shumë atraktive Gjirokastrën edhe nga kjo pikëpamje.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro shpjegoi se brenda disa muajve Gjirokastrës do t’i shtohen 12 blloqe objektesh të restauruara, duke i dhuruar qytetit më shumë harmoni arkitektonike.
“Gjirokastra in White” është një tjetër projekt kulturor, i mbështetur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për restaurimin dhe rehabilitimin e fasadave të 132 banesave kolektive në zonën e mbrojtur dhe në vazhdim për unifikimin me objektet e bulevardit “18 shtatori” në qytetin e Gjirokastrës.
Rama në Përmet dhe Tepelenë
Kryeministri Edi Rama gjatë turit në jug të vendit u ndal edhe në Përmet. ku pa nga afërprojektin për rikualifikimin urban të qendrës, fasadave, ndriçimit dhe lulishtes së qytetit, që kap vlerën e 103 milion lekëve.
Shefi i qeverisë pa nga afër edhe në bashkinë e re të Këlcyrës për rikualifikimin e përroit të lagjes “Gur”, si dhe sistemimin e shtratit të përroit, me vlerë totale 67 milionë lekë. Ndalesa e fundit e kreut të qeverisë në jug të vendit ishte Tepelena, ku pa nga afër projektet e qeverisë në këtë qytet./ TV KLAN