Turi verior i kryesocialistit Nano, fushata në Kukës e Peshkopi – (5 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano, ka prezantuar në sallën e Pallatit të Kulturës së Kukësit, kandidatin për kryetar bashkie të këtij qyteti Isak Shehun. Në fjalën e tij Nano tha, se në Kukës ende nuk kanë ardhur sa duhet programet e zhvillimit, por në këtë qytet po punohet sidomos për aksin rrugor Durrës-Morinë, me mega projekte që do të shkurtojnë largësinë e Kukësit, me qytete si Tirana, Prishtina etj.
Duke akuzuar pushtetin lokal, nën administrimin e Partisë Demokratike, Nano theksoi se nuk do të lejohet më që me fondet publike të shpërdorohen e të vidhen siç është vepruar gjatë këtyre katër viteve, nga pushteti lokal i Berishës. Nga ana e tij kandidati socialist për kryetar bashkie, agronomi Shehu, premtoi se brenda 60 ditëve Kukësi do të pastrohet nga plehrat, do të ndriçohet dhe do të zgjidhet përfundimisht problemi i furnizimit me ujë të pijshëm.
Turi verior i kryesocialistit Nano ka vijuar me Peshkopinë. Në këtë qytet Nano ka ripërsëritur akuzat ndaj Berishës për politikën e dyerve të shqyera me fqinjët./tvklan.al
Gazetari – Vladimir Lame