Turizmi nis të marrë frymë
Turistët e parë mbërrijnë në bregdet
Turizmi po fillon të marrë frymë. Këta janë turistët e parë nga Bjellorusia që mbërritën një ditë më parë në Vlorë. Zbarkuan fillimisht në Rinas me charterin e parë turistik.
Do të qëndrojnë në qytetin bregdetar për rreth 12 ditë.
“Është dita e parë. Ende nuk kemi parë asgjë përveç dritave mbrëmë në bregun e detit. Do të qëndrojmë 11 netë. Ne jemi personat e parë që kemi ardhur këtu, nuk është e tejmbushur me njerëz, po e shijoj”.
“Më pëlqen shumë. Më pëlqen deti, më pëlqejnë njerëzit, njerëzit këtu gjithmonë buzëqeshin, janë të lumtur”.
Pushuesit e parë, vendas e të huaj, kanë mbërritur edhe në plazhin e Durrësit.
“Të gjithë larg, kështu është shumë mirë. Ndoshta sepse tani jemi pak njerëz, duhet të shohim në Gusht”.
“Kemi një javë, më datë 3. Do rrimë edhe 3 ditë e pastaj do ikim”.
Teksa pandemia shihet si një nga faktorët negativ në turizëm, duket se edhe tërmeti do ketë një ndikim jo të mirë në këtë sektor për Durrësin.
“Miq të mi nga Roma do të vijnë, por kanë frikë nga tërmeti”.
Veç masave kundër përhapjes së pandemisë, as moti nuk ka qenë i favorshëm. Operatorët turistikë shpresojnë që ndryshimin ta sjellë muaji Korrik.
Tv Klan