Turqia akuzohet për “legjitimim të përdhunimit”
Në Turqi, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit Erdoan, është kritikuar fort nga organizatat vendase për të drejtat e njeriut dhe akuzohet se po legalizon përdhunimin.
Shkak është bërë një projektligj i dërguar në parlament, i cili parashikon lirimin nga akuzat të të dënuarve për dhunë seksuale, nëse këta të fundit pranojnë të martohen me viktimën e përdhunuar.
Projektligji ka një pikë fort të debatueshme, e cila thotë se rastet kur përdhunuesi lirohet nga akuzat janë kur “agresioni seksual është kryer pa forcë, kërcënim apo detyrim”. Pikërisht ky sqarim është cilësuar si absurd dhe ka nxitur indinjatë në vend.
Kryeministri turk Binali Jëlldërëm mbrojti propozimin e partisë së tij dhe sqaroi se ligji nuk kërkon kurrësesi të legjitimojë përdhunimin.
“Ka nga ata që martohen përpara se të mbushin 18 – vjeç, duke shkelur ligjin pasi nuk e njohin mirë. Ka mbi 3 mijë familje në këtë situatë. Ligji ka në fokus pikërisht këtë padrejtësi”.
Të premten një grup grashë u mblodhën në Stamboll në kundërshtim të këtij ligji.
“Si mundet një grua e dhunuar të martohet me përdhunuesin e saj?! Ajo kërkon ta vrasë atë!”,
shprehen disa prej tyre. Nisma kundër këtij projektligji është përhapur ndjeshëm edhe në rrjetet sociale.
Tv Klan