Turqia i fal Shqipërisë një pjesë të borxhit (6 Dhjetor 2000)
Turqia i fal Shqipërisë një pjesë të borxhit që kishte marrë në vitin 1991 dhënë përmes Bankës Turke. Ministri i Financave Angjeli ka falenderuar ministrin e shtetit turk Faruk Bal për gadishmërinë që ka treguar kjo palë gjatë procedurave përgatitore për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Shuma e falur është 9.3 milionë dollarë duke lënë kështu borxh 17.5 milionë të tjera qeverisë turke.
Afati i shlyerjes së kësaj kredie është 15 vjet, por sot është diskutuar për zgjatjen e këtij afati ku 5 vitet e para janë pa interes. Ministri Angjeli është shprehur optimist për arritjen e marrëveshjeve të tjera të këtij lloji për t’a mbyllur këtë borxh, ndërsa ministri turk Bal është shprehur se Shqipëria zë vend të veçantë në politikën turke.
Ndërsa në Ministrinë e Transporteve, në kuadër të projektit të Bankës Botërore për rehabilitimin dhe zhvillimin e Portit të Durrësit, është nënshkruar kontrata për blerjen e dy vinçave portualë. 3 milion euro është pjesa e kredisë së Bankës Botërore e cila do të përdoret dhe ka një kohëzgjatje për 5 vjet.
Parashikohet që vinçat të montohen brenda 14 muajve. Ato do të përdoren për ngarkesat si dhe do të përmirësojnë operacionet që do të bëhen në port në ngarkim shkarkim./tvklan.al