Turqia kërcënon pas paralajmërimeve për sanksione: Deti do të sjellë luftë
Turqia paralajmëron luftë në rajon nëse Greqia aplikon zgjerimin në det me 12 milje. Zv. Presidenti turk, Fuat Oktay, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Anadolu e sheh vendimin e autoriteteve greke si shkak për përplasje ushtarake.
“Është e papranueshme që Greqia kërkon t’i zgjerojë ujërat territorialë me 12 milje. Nuk e ka një të drejtë të tillë. Nëse kjo nuk është shkak lufte, çfarë është tjetër”, tha ai.
Oktay pati një përgjigje edhe për paralajmërimin e Bashkimit Europian për sanksione ndaj Turqisë nëse Ankaraja nuk ndërpret aktivitetin për kërkim të naftës dhe gazit në Mesdheun Lindor.
“Turqia nuk do të bëjë asnjë hap pas. Në këtë rast BE është e njëanshme. Ne presim drejtësi nga Bashkimi Europian ndërsa ata na kërcënojnë. Nuk mund të ulemi në dialog me kërcënime. Duket hapur që BE mban anën e Greqisë”.
Tensionet në zonë janë shtuar pasi mbrëmë forcat turke larguan 6 avionë F16 që iu afruan zonës ku anija Oruç Reis po vijon kërkimet. Ndërkohë sot Turqia ka nisur në zonën pranë ishujve një stërvitje ushtarake për arsye edukimi që do të vijojë deri në 11 Shtator ndërsa kërkimet për naftë dhe gaz janë zgjatur deri në datën 1 Shtator.
Klan Plus