Turqia kërkon dorëzimin e Nevzat Aivaçi
Turqia i kërkon Shqipërisë ekstradimin e një shtetasi turk, i dyshuar si anëtar i organizatës FETO, themeluar nga kleriku në arrati Fetullah Gylen.
Nevzat Aivaçi, është një nga 54 personat për të cilët Gjykata e Lartë në Turqi ka lëshuar kërkesa ekstradimi në 24 vende të botës. Në skemën që tregon gjithë rrjetin e akuzuar për bashkëpunim me Gylen, emri i Nevzat Aivaçi figuron si rezident në Shqipëri.
Sipas mediave në Turqi, Aivaçi është një nga njerëzit më të rëdësishëm të organizatës së Fetullah Gylen. Ai njihet ndryshe si Imam i Antalias dhe koordinatori i financave të FETO. Të njejtat burime shkruajnë se prej vitesh Aivaçi është marrë me tregti të këpucëve me shumicë dhe me ndërtim. Ai kishte deklaruar se njihet me Fetullah Gylenin që prej vitit 1986. Raportohet se ka dalë nga Turqia më19 nëntor të 2015, por nuk dihet nëse destinacioni i parë ka qenë Shqipëria.
E pyetur nga Televizioni Klan, Policia e Shtetit preferoi të mos komentojë rreth shtetasit turk.
Mes 54 emrave për të cilët kërkohet ekstradimi, është edhe Fetullah Gylen, drejtuesi i rrjetit dhe kundërshtari më i madh i Presidentit Rexhep Taip Erdoan.
Tv Klan